Ylli i muzikës pop Beyonce hyn në histori si këngëtarja me më shumë çmime Grammy gjatë karrierës.
Ajo i shtoi koleksionit të saj 4 trofe të tjera, në ceremoninë e mbajtur të dielën, përfshirë për albumin më të mirë elektronik/dance, duke e çuar totalin në plot 32.
“Faleminderit shumë. Po përpiqem të mos jem shumë emocionale. Dua të falënderoj Zotin”, u shpreh këngëtarja.
Por pavarësisht sukseseve të shumta, 41-vjeçarja nuk e ka fituar kurrë çmimin prestigjoz për albumin më të mirë e nuk ia doli as këtë vit.




















Ishte këngëtari britanik, Harry Style, që triumfoi këtë herë me albumin Harry’s House.
“Kam qenë i frymëzuar nga çdo artist që garoi në këtë kategori me mua. Në shumë raste gjatë jetës sime, kam dëgjuar muzikën e të gjithë atyre që ishin të nominuar”, tha Harry Style.
“About Damn Time” e Lizzo u vlerësua si regjistrimi më i mirë i vitit, me reperen që ia dedikoi çmimin Prince-it.
“Just Like that”, e këngëtares blues, Bonnie Raitt's u vlerësua si kënga më e mirë e vitit. Mes fituesve të tjerë të mbrëmjes ishin Adele, për performancën më të mirë solo pop dhe Kendrick Lamar për performancën më të mirë rep.
E konsideruar si mbrëmja më rëndësishme muzikore, Grammy-t janë çmimet më prestigjoze në industri.
Lizzo dhe Bad Bunny performuan gjatë mbrëmjes, e pati gjithashtu një shfaqje surprizë nga Madonna. (A2 Televizion)