Çmimi i karburanteve, pritet rritje e mëtejshme si pasojë e sezonit turistik

Nga A2 CNN
16 Korrik 2021, 12:33 | Ekonomi
Çmimi i karburanteve, pritet rritje e mëtejshme si pasojë e

Çmimi i naftës pritet të pësojë luhatje të tjera në tregun shqiptar dhe jo vetëm, ndikuar nga ecuria e bursës, por edhe nga shtimi i kërkesës gjatë sezonit turistik.

Gjatë verës, lëvizja e njerëzve për shkak të pushimeve bëhet më e shpeshtë dhe rrjedhimisht kjo çon në një konsum më të madh të karburanteve dhe presionet për rritjen e çmimit shtohen.

Të dhënat e Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave dëshmojnë për një rritje të importeve të karburanteve. Në qershor, importet ishin mbi 57 mijë tonë, me rritje rreth 10 mijë tonë kundrejt të njëjtës periudhë të një viti më parë. Ndërsa si periudhë 6-mujore, të ardhurat nga importet e karburanteve përbënë 23.7% të totalit të të ardhurave doganore.

Një ecuri që shkon një linjë me hapjen e ekonomisë pas vitit pandemik dhe me sinjalet për rimëkëmbje.

Në një periudhë afatshkurtër, ekspertët nuk parashikojnë rritje të çmimeve të mallrave dhe produkteve në tregti, pasojë e shtrenjtimit të karburanteve nga ato industri që naftën e kanë lëndë të parë të prodhimit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos