Covid-19 në Itali, Mattarella falënderon mjekët: Paguan shërbimin me jetë

Nga A2 CNN
7 Prill 2020, 17:05 | Bota
Covid-19 në Itali, Mattarella falënderon mjekët: Paguan

Pandemia koronavirus godet rëndë sistemin e shëndetësisë në Itali. Pesë mjekë të tjerë kanë humbur jetën gjatë orëve të fundit, ndërsa në total janë 94 viktima mes personelit shëndetësor, që prej shpërthimit të virusit të rrezikshëm në vendin fqinj. i lartë mbetet dhe bilanci i të infektuarve në këtë sektor, me mbi 6 mijë të tillë.

Vetëflijimi për të shpëtuar pacientët është vlerësuar pa masë nga presidenti italian, Sergio Mattarella, i cili dërgon një mesazh falënderues bluzave të bardha në Ditën Botërore të Shëndetësisë.

“Mirënjohje për infermierët në linjën e parë, si dhe për mjekët, asistentët dhe studiuesit. I kemi parë të punojnë deri në pikën e fundit të fuqisë së tyre për të shpëtuar jetë njerëzore dhe shumë prej tyre e kanë paguar me jetë”, tha ai.

Ndërkohë, në Bergamo është hapur dhe spitali që u ndërtua për 10 ditë, në të cilin do të punojnë doktorë italianë dhe rusë. Në disa pamje të publikuara nga Ministria e Mbrojtjes e Kremlinit, shikohen specialistë të gatshëm për të trajtuar pacientët e infektuar me koronavirus. Kohë më parë, Rusia dërgoi doktorë, infermierë dhe pajisje mjekësore në ndihmë të Italisë, në një operacion të cilin Moska e ka emërtuar “Me dashuri nga Rusia”.

Në total, Covid-19 u ka marrë jetën më shumë se 16 mijë personave në Itali, ndërsa janë prekur mbi 132 mijë vetë. Qeveria nuk harron dhe impaktin e rëndë në ekonomi, me kryeministrin Giuseppe Conte që i jep oksigjen biznesit të madh e të vogël me një plan ndihme 400 miliardë euro. Gjithashtu parashikon dhe një sërë masash lehtësuese fiskale. Sa i përket rihapjes së ekonomisë dhe vendit, ekspertët këshillojnë që kjo të ndodhë vetëm pasi rreziku i lartë i pandemisë të ketë kaluar.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos