
Numri i rasteve me koronavirus në Shtete e Bashkuara i tejkaloi 2 milionë personat, sipas të dhënave të universitetit John Hopkins.
Me mbi 112 mijë viktima të konfirmuara, Amerika është vendi më i prekur në botë nga pandemia e Covid-19.
Në shkallë kombëtare, infeksionet e reja po rriten lehtë pas pesë javësh rënieje, sipas një analize të agjencisë Reuters. Shtim të rasteve ka në 21 shtete dhe me gjithë përmirësimet në ato që dikur ishin vatra të pandemisë, të tilla si Nju Jorku, tani po shfaqen pika të nxehta në shtete të tjera, si Arizona, ku rritja e rasteve dhe shtrimeve në spital ka alarmuar zyrtarët në vend.
Rritja e rasteve i atribuohet edhe shtimit të testimeve; me një numër rekord prej mbi 500 mijë testesh më 5 qershor. Protestat masive pa distancim fizik pas vdekjes së afrikano-amerikanit George Floyd në duart e policisë në Minesota, pritet të sjellin një rritje tjetër të ndjeshme në javët në vazhdim.
Ndërkohë eksperti kryesor amerikan i sëmundjeve infektive, Dr. Anthony Fauci i tha Zërit të Amerikës se rreziku nuk ka kaluar dhe se me rihapjen graduale të shteteve amerikane dhe rikthimin në aktivitetin normal, mund të intensifikohen ritmet e përhapjes së infeksionit.
“Në një zonë ku ka vatra aktive infeksioni, nuk do të ishte e këshillueshme të hiqen menjëherë masat e distancimit social. Nuk ka një formulë të vetme. Vendimi duhet të diktohet nga situata në zonën ku jeton individi”, deklaroi Fauci.
Eksperti amerikan theksoi gjithashtu se infeksioni mund të përhapet edhe nga të infektuarit pa simptoma, duke kundërshtuar deklaratën e një eksperteje të OBSH-së transmetimi nga këta persona është i rrallë. (A2 Televizion)