COVID-19, Presidenti i Parlamentit Evropian vetizolohet

Nga A2 CNN
10 Mars 2020, 12:30 | Bota
COVID-19, Presidenti i Parlamentit Evropian vetizolohet

Në një kohë kur në pjesën tjetër të botës vrulli i COVID-19 nuk ndalet, në Kinë situata duket të jetë nën kontroll. Autoritetet raportuan vetëm 40 raste të reja në 24 orë, shifra më e ulët kjo që prej 20 janarit. Presidenti kinez Xi Jinping vizitoi Wuhanin, ku edhe pati zanafillën virusi, për të treguar se situata atje është drejt normalizimit.

Sinjale pozitive vijnë edhe nga një tjetër vatër e virusit, Koreja e Jugut, e cila gjithashtu raporton rënie të rasteve të viktimave nga Covid-19. Virusi ka infektuar mbi 114 mijë vetë në të gjithë botën dhe më shumë se 4 mijë janë viktimat.

Situata më alarmante mbetet në Itali, por edhe pjesa tjetër e Evropës po përjeton rritje dramatike të rasteve. Në rastet e shënuara të hënën në Qipro, Covid-19 prek të gjithë kontinentin e vjetër, ku viktimat janë mbi 500. Spitali më i madh në Qipro ka pezulluar shërbimet pasi një mjek rezultoi pozitiv ndaj koronavirusit.

Pas Italisë, Franca numëron numrin më të lartë të rasteve, me mbi 1500 të tilla, dhe të paktën 50 viktima. Mes të infektuarve janë edhe shumë deputetë. Gjithashtu, Presidenti i Parlamentit Evropian, Davide Sassoli konfirmoi se do të vetizolohej pas një udhëtimi në Itali fundjavën e kaluar. Përgjatë 14 ditëve në vijim ai do të kryejë detyrat e tij nga shtëpia në Bruksel.

Ndërkaq Izraeli njoftoi të hënën se do të vendoste në karantinë 14 ditore të gjithë ata që vijnë nga jashtë. Virusi po përhapet me shpejtësi edhe në Shtetet e Bashkuara me raste të reja të shënuar në 20 shtete. Të prekurit janë mbi 700 ndërsa viktimat rreth 26. Uashingtoni është më i prekur dhe shumë shkolla në këtë shtet po aplikojnë mësimin online. OBSH-ja tha të hënën se rreziku i një pandemie globale është shumë real.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos