Që pas përfundimit të muajit të shenjtë të Ramazanit në maj, jeta në Kabul i është rikthyer normalitetit, edhe pse shifrat e infektimeve nga koronavirusi mbeten të larta.
Mes banorëve të Afganistanit duket se ka një mendim të përbashkët që e mbështesin të gjithë: pas viteve të tëra të luftës dhe paqëndrueshmërisë, virusi është vetëm një nga vështirësitë e shumta që kanë kaluar.
Shumë qytetarë në kryeqytetin afgan as që duan t’ia dinë për të zbatuar rregullat që i zbaton e gjithë bota në këtë situatë pandemie. Edhe pse kjo situatë nuk është shumë larg vendit tonë, ku një pjesë e qytetarëve vijojnë të mos mbajnë maskë apo të zbatojnë distancën sociale.
Deri tani, në Afganistan janë konfirmuar mbi 50 mijë raste, ndërsa janë raportuar të vdekur edhe 2 mijë persona të prekur me koronavirus. Megjithatë, këto janë vetëm shifrat zyrtare, shkruan “Business Insider”, pasi pjesa më e madhe e të infektuarve e kalojnë virusin të izoluar në shtëpi. (A2 Televizion)