
Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi e ka konsideruar si të patolerueshme dhunën e muxhahedinëve përballë policisë shqiptare. Në një konferencë të posaçme për mediat, Çuçi është shprehur se indicia për kontrollin ka ardhur për shkak të aktiviteteve politike që MEK ka mbajtur kohët e fundit, ndonëse në marrëveshjen e 2014, ishte e përcaktuar qartë se një gjë e tillë ishte e ndaluar.
Për rrjedhojë, tha Çuçi, SPAK i kërkoi leje Gjykatës për të ushtruar kontrolle. Pas marrjes së leje, SPAK ka ndërhyrë në kamp, duke theksuar se vendimi i gjykatës duhet zbatuar pa e komentuar atë.
“Shqipëria u ka ofruar gjithçka për qëllim humanitar, ju kemi ofruar ndihmë, siguri, madje edhe mbrojtje ndaj të gjitha kërcënimeve edhe nga shërbimet sekrete të Iranit dhe besoj se ata për më shumë se 3000 ditë kanë jetuar në siguri të plotë dhe është e paimagjinueshme dhuna ndaj policisë së shtetit, është shkelje ligjore për këdo që jeton në Shqipëri, por edhe thyerje të kodit të mikpritjes. Në marrëveshje është e qartë që iu ndalohet aktiviteti politik, apo protestave. Aktiviteti i tyre politik ka tërhequr vëmendjen e SPAK, që ka filluar më shumë se një çështje penale dhe siç duhet të veprojë çdo institucion në Shqipëri, SPAK kur ka pasur arsye dhe dyshime të arsyeshme dhe indicieve të fora, i është drejtuar gjykatës për të bërë kontroll brenda kampit, dhe sekuestrime të pajisjeve që kanë lidhje me çështjen që ka filluar SPAK dhe Gjykata ka marrë një vendim”, tha Çuçi.
Ditën e sotme, Forca të shumta të Policisë së Shtetit, përfshirë edhe forcat RENEA zbarkuan në kampin e MEK në Manzë të Durrësit, ku janë të strehuar anëtarë të opozitës iraniane. Operacioni u krye në zbatim të urdhër-kontrolleve të nxjerra nga Gjykata pas kërkesës së SPAK ndërkohë muxhahedinët pretendojnë se një prej anëtareve të tyre humbi jetën si pasojë e problemeve me frymëmarrjen pasi ndaj tij u hodh spray lotsjellës, por kjo është hedhur poshtë nga policia si e pavërtetë. Urdhri për kontrolle u lëshua nga gjykata pas dyshimeve për terrorizëm dhe sulme kibernetike (A2 Televizion)