
Kjo është gjendja e disa qindrave metra rrugë në fshatin Dervishaj të bashkisë së Memaliajt. Banorët e këtij fshati shprehen se kjo mënyrë e të shtruarit të rrugës nuk mund të quhet as asfalt elektoral, pasi kanë hedhur vetëm një rërë bituminoze edhe ajo shumë e varfër.
“Ja si është, shikoji punimet copë-copë. Një ves shi të bjerë dhe shkon poshtë. Për faqe të zezë”, shprehen banorët.
Edhe kryeplaku i fshatit nuk ka asnjë informacion mbi këtë lloj investimi që nisi para zgjedhjeve në fshatin e tij, ndërsa të flasësh për të dhëna teknike as që bëhet fjalë të jenë afishuar diku nga investitori apo zbatuesi.
“12 maj, dy ditë para zgjedhjeve 2023 na kanë sjellë rërë bituminoze dhe kanë shtruar 300-400 metra rrugë, i hodhën ca mballoma si punë e ngjitjes së pantallonave, andërr dhe ikën”, shprehet kryeplaku i fshatit Haxhi Jaupi.
Në fshatin Dervishaj, aktualisht, jetojnë 120 banorë, të cilët më shumë se sa rrugën elektoralë kanë problem ujin e pijshëm.
“I kemi thënë. Ankesat e banorëve për ujë të pijshëm dhe jo për xhade”, përfundon kryeplaku i fshatit. (A2 Televizion)