"Dallëndyshja e parë në Roskovec", gati zgjidhja për vajin e ullirit, aplikimet te skema e bujqësisë brenda marsit

Nga A2 CNN
6 Mars 2023, 17:19 | Aktualitet
"Dallëndyshja e parë në Roskovec", gati zgjidhja

Brenda muajit mars fermerët shqiptarë do mund të aplikojnë për të përfituar nga skema kombëtare e bujqësisë për këtë vit. Fondi në total është 3.3 miliardë lekë dhe me këto para do të financohet edhe blegtoria. Ministria e Bujqësisë ndërkohë duket se ka gjetur edhe një zgjidhje për vajin e ullirit.

 “Tashmë kemi gjetur gjuhën dhe dallëndyshja e parë do të jetë në Roskovec”, deklaroi zv.ministri i Bujqësisë Arjan Jaupllari.

Mbiprodhimi i ullirit vitin e shkuar tregoi se tregu vendas është mjaft i vogël për të përballuar gjithë vajin e prodhuar. Zgjidhja e vetme vlerësohet eksporti, ndaj Ministria e Bujqësisë ka nisur përgatitjet për të garantuar shitjen në tregun e huaj të prodhimit vendas.

“Tashmë ne e kemi gati atë grupin e fermerëve të cilët janë bashkuar, dhe bashkë me bashkinë do të aplikojnë te skema e IPARD që do të hapet së shpejti dhe ata do të financohen në masën 100% për ngritjen e kapaciteteve prodhuese e deri përpunimi, ambalazhimi dhe nxjerrja në treg e produktit”, theksoi Jaupllari.

Bujqësia në tërësi ka marrë më tepër vëmendje këtë vit. Sektorit me të cilin punon dhe jeton gati gjysma e popullsisë i janë akorduar 3.3 miliardë lekë. Zëvendësministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Arjan Jaupllari tregon edhe se kur dhe si mund të aplikojnë fermerët për të përfituar nga fondet në dispozicion.

“Brenda datës 20 mars, siç ka bërë të ditur edhe ministrja Skema e Bujqësisë do të jetë gati për tu hedhur në fletoren zyrtare duke u thënë fermerëve që të fillojnë të aplikojnë”, u shpreh zv.ministri i Bujqësisë.

Ashtu si në tre vitet e fundit, blegtoria vlerësohet si “kryefjala” e skemës kombëtare të bujqësisë për këtë vit.

“Viti e shkuar bujqësia mori 1.8 miliardë lekë, apo 1/3 e totalit. I njëjti fond do ndahet edhe sivjet. Do të përfitojnë ata që kanë mbi 10 gjedh mbi 10 gjedhë dhe mbi 100 krerë të imta”, vijoi ai

Veç bujqësisë dhe blegtorisë, skema kombëtare 2023 mbështet edhe peshkimin apo bletarinë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos