
Një sherr me grushte plasi mes deputetëve gjeorgjianë të hënën, teksa në një komision parlamentar debatohej për një projektligj që lidhet me spiunët e huaj. Për kritikët, drafti është modeluar sipas ligjeve autoritare të Rusisë fqinje.
Në pamjet e përcjella nga godina e parlamentit në Tbilisi shfaqet sherri mes deputetëve, pasi kreu i komisionit të çështjeve ligjore u duk se goditi me grusht liderin e partisë opozitare, Lëvizja e Bashkuar Kombëtare, që kundërshton ligjin.
Por mazhoranca, e kryesuar nga Partia Ëndrra Gjeorgjiane, deklaroi se e mbështet projektligjin. Sipas draftit ekzistues, organizatat që marrin më shumë se 20% të fondeve të tyre nga jashtë vendit, do të duhet të regjistrohen si “agjentë të huaj” dhe do të monitorohej nga Ministria e Drejtësisë, e nëse refuzojnë do të përballen me gjoba të majme.
Kritikët e kanë krahasuar këtë me ligjin e vitit 2012 të miratuar në Rusi, i cili, sipas kritikëve, është përdorur për të sulmuar shoqërinë civile dhe mediat e pavarura. Ata e konsiderojnë ligjin si simbolikën e animit të vendit nga regjimi autoritar. (A2 Televizion)