
Zjarri në bordin e një anijeje mallrash ruse, e goditur nga dronët në Detin Balltik, vijoi të përhapej gjatë gjithë natës, pavarësisht përpjekjeve për shuarjen e flakëve. Lajmi u konfirmua të dielën nga Roja Bregdetare e Finlandës. Bëhet fjalë për anijen “Sparta II”, e cila u godit të shtunën dhe më pas përfundoi në ujërat territoriale finlandeze, ku ndodhet ende e ankoruar. Sipas ushtrisë finlandeze, sulmi dyshohet se është kryer nga Ukraina. Të 16 anëtarët e ekuipazhit u evakuuan dhe u transferuan në një anije tjetër ruse ndërsa gjatë operacionit të shpëtimit, një helikopter i Moskës shkeli për çaste hapësirën ajrore të Finlandës. Presidenti i këtij vendi Alexander Stubb e përshkroi incidentin si serioz në një postim në rrjetet sociale.
“Ngjarjet që lidhen me anijen Sparta II në Gjirin e Finlandës janë serioze. Gjatë ditës kam zhvilluar konsultime me Forcat e Mbrojtjes së Finlandës dhe me Rojën Kufitare finlandeze, si dhe kam informuar partnerët tanë kryesorë dhe aleatët tanë më të afërt".
Pamjet e publikuara nga autoritetet finlandeze tregojnë disa mjete lundruese që gjatë natës hidhnin ujë mbi anijen, në përpjekje për të shuar zjarrin dhe për të ftohur kontejnerët e vendosur në kuvertë. Anija, e cila ishte nisur nga Shën Petersburgu drejt enklavës ruse të Kaliningradit, u godit në ujërat ndërkombëtare, në perëndim të ishullit rus Gogland, teksa dyshohet se transportonte edhe armatime. Ndërkohë, komandanti i Marinës Estoneze, Ivo Vark, paralajmëroi se nuk mund të përjashtohen sulme të tjera në Gjirin e Finlandës.
Zhvillimet shtojnë shqetësimet për përhapjen e luftës përtej territorit ukrainas, veçanërisht në rajonin e Detit Balltik, pranë vendeve anëtare të NATO-s. Sipas të dhënave zyrtare amerikane, anija “Sparta II” është gjithashtu nën sanksionet e Shteteve të Bashkuara. (A2 Televizion)