Historia e sportit shqiptar shkruhet në dëborën e Austrisë. Lara Colturi ka arritur fitoren e parë në karrierën e saj në Kupën e Botës në ski alpine, duke i dhuruar një sukses historik edhe Shqipërisë.
Skiatorja 20-vjeçare triumfoi në garën e slalomit në Gurgl, me kohën e përgjithshme 1 minutë, 45 sekonda e 47 të qindtat. Pas zbritjes së parë, Colturi ishte në vendin e dytë, por në provën finale arriti të siguronte kreun e klasifikimit, duke lënë pas suedezet Sara Hector dhe Anna Swenn Larsson.
Ky është podiumi i dhjetë në karrierën e saj, por i pari në shkallën më të lartë. Një fitore që vjen pas dy vendeve të dyta në dy garat e para të sezonit ..Për më tepër, Colturi merr edhe kryesimin e renditjes së përgjithshme të Kupës së Botës, me 260 pikë, ndërsa udhëheq edhe klasifikimin e slalomit. Një moment historike për Lara Colturin dhe një moment i vecantw për gjithw sportin shqiptar.
E lindur dhe e formuar si sportiste në Itali, Lara Colturi vendosi në vitin 2022 të garonte nën flamurin shqiptar, duke nisur një kapitull të ri në karrierën e saj. Një bashkëpunim që i dha Shqipërisë një përfaqësuese në elitën e skive botërore, ndërsa Colturit mundësinë për të avancuar më shpejt drejt garave të Kupës së Botës. (A2 Televizion)