
Deputeti i opozitës, Dashnor Sula, tha se i vjen turp për vendimin që po merret sot në Parlament, ku do të rriten edhe rrogat e deputetëve e ministrave, përveç se punonjësve të administratës.
“10 ditë pas zgjedhjeve, mbyllemi në një sallë dhe dyfishojmë rrogat tona. Turp më të madh në aspektin personal nuk ka. Të rrisim rrogën tonë me 1,6 milionë lekë brenda ditës, kjo na bën të jemi më të urryerit. Po flas këtu për ata deputetë që shkojnë nëpër zona, jo për ata që nuk i kanë parë ndonjëherë zonat e tyre. Nëse qëllimi juaj është që të bëni që të na shajnë në rrugë, televizion apo rrjete sociale, atëherë ia keni arritur”, tha Sula gjatë fjalës së tij në Parlament.
Sa do të rriten pagat e funksionarëve më të lartë shtetërorë?
Paga më e lartë është ajo e Presidentit të Republikës, e cila shkon në 425 mijë lekë. Ajo është përcaktuar edhe si pagë referencë, që do të thotë që paraprin të gjithë hierarkinë e pagave për të gjitha pozicionet e tjera.
Dy funksionarët e tjerë më të paguar janë kryeministri dhe kryetari i Kuvendit, të cilët do të paguhen njëlloj, 393 125 lekë. Ministrat që janë edhe deputetë do të marrin rrogën më të madhe, që është vlerësuar ajo e ministrit, e cila shkon në 318 750 lekë.
Çfarë do të thotë kjo për buxhetin e shtetit?
Rritja e pagës mesatare në 900 euro do t’i kushtojë buxhetit të shtetit 46,5 milionë euro. Nga 74 mijë e 450 lekë apo 650 euro që aktualisht paga mesatare është, shtesa për të arritur objektivin është 250 euro. Administrata publike aktualisht, përfshirë pushtetin qendror dhe atë vend numëron rreth 186 mijë të punësuar. (A2 Televizion)