
Është shoqëruar me debate të ashpra dhe ngritje zëri biseda në studion e emisionit A2 Business Week mes ish-zv.ministrit të Financave, Dritan Shano dhe zv.ministrit të Ekonomisë dhe Financave, Besart Kadia, në lidhje me situatën e bizneseve në vend në kohën e pandemisë. Në këndvështrimin e tij, Shano ngre alarmin për mbështetje të bizneseve në vend që paratë e buxhetit të shkojnë për tendera. Nga ana e tij, zv.ministri Kadia thekson se qeveria e ka mbështetur me garanci sovrane biznesin.
Dritan Shano: Ajo që vërej unë në këtë mes nga ana e bizneseve është që do ishin përfitues të punës së qeverisë. Bizneset ishin të pakënaqur edhe nga qeveria dhe nga puna e bërë deri më tani.
Besart Kadia: Çfarë kanë kërkuar dhe çfarë nuk kanë bërë?
Shano: Po më pyet mua çfarë kërkon biznesi kur kjo është puna jote që duhet të bëje nga ora 08:00-16:00? Kam alarmin tim si ekonomist që në vend që të mbështeten bizneset, paguhen tenderat për Tunelin e Llogarasë. Kanë kërkuar akses në likuiditet, lehtësira më të mëdha sesa i ka dhënë qeveria.
Besart Kadia: Për çfarë shërben garancia sovrane?
Dritan Shano: Që qeveria të thotë që unë e kam bërë timen, vrisni veten tani. Pse nuk ka hyrë në ekonomi?
Besart Kadia: Nuk kërkojnë likuidet, kërkojnë subvencion. Situata është e vështirë se edhe qeveria dhe biznesi duhet të jenë njësoj. Tur-operatorët, nuk dihet se kur mbaron kjo situatë për ta, kërkojnë paga për punonjësit, për sa kohë, për një vit?
Dritan Shano: Uluni dhe bisedojini këtë gjë, mos bëni të habiturin!
Besart Kadia: Sa i përket hotelerisë nuk janë të prekur të gjithë njësoj? Tur-operatorët varen nga ata që vijnë jashtë Shqipërisë. Të mendojmë për dy vitet e ardhshme, qeveria do të paguajë për një biznes që nuk ka klient? Kam kërkuar dhe i kam pritur dhe u kam kërkuar që të paguhet punonjësi.
Dritan Shano: Kërkohet aftësia për të bërë biznes kur të vijë momenti. Në ekonominë time shoh buxhet e taksa që nuk shkojnë për buxhetin, por për lukse që i ngjajnë botës arabe, Tuneli i Llogarasë apo rrugë miliona euro.
Besart Kadia: Minimizim i kostos afatshkurtër. Sa e rëndësishme është oferta agregate në ekonomi? (A2 Televizion)