
E kemi lënë pas të keqen me vitin 2020? E vështirë ta thuash, kur pandemia vijon ende dhe ekonomia mbetet e mbërthyer nga pasiguri të shumta. Një situatë e paqartë që na ka përfshirë jo vetëm ne, por të gjithë botën.
Fondi Monetar Ndërkombëtar pret që Shqipëria të ketë një rimëkëmbje graduale me rreth 5% këtë vit. BERZH i qëndron një norme rritje 4.5%, ndërsa sipas projeksioneve bazë të Bankës Botërore, ekonomia shqiptare parashikohet të rritet me 5.1%, ndërsa sipas skenarit pesimist të saj, me vetëm 2.5%. Me këto ritme, rikthimi në nivelet e parakrizës nuk mund të ndodhë këtë vit, por vetëm vitin e ardhshëm.
Por, në finale, këto mbeten vetëm parashikime, pasi gjithçka varet sesi do të evoluojë pandemia dhe si do të shkojë procesi i vaksinimit. Por, pa dyshim edhe se nga masat do të merren nga qeveria për të mbajtur në këmbë ekonominë, që pa rënien më të fortë që nga kriza e piramidave në vitin 1997.
Edvin Prençe, kryetar i shoqatës Pro Export, u shpreh në “A2 Business Week” se gjendja e industrisë fason është në “alarm”.
“I kemi kërkuar qeverisë se sa mundësi ekonomike kanë për të na mbështetur. Kërkojmë ndihmë për modernizimin e makinerive tona. Biznesi fason e ka ezauruar likuiditetin dhe është në pikë kritike. Nuk shkohet dot më përpara. Duhet bashkërendim i punës me qeverinë”, u shpreh Prençe.
Në të njëjtën linjë edhe Kliton Gërxhani, nënkryetar i shoqatës së Tur-Operatorëve. Ai nënvizoi se “situata në sektorin e turizmit është shumë e vështirë, shumë shtete janë mbyllur dhe po flitet për valë të tretë të Covid-19 nga shtetet që e vizitojnë Shqipërinë”.
“Jemi në një situatë thuajse të pashpresë. Në 6-mujorin e parë nuk presim punë, shpresojmë që në verë të nisë diçka. Ajo që duam të dëgjojmë nga qeveria është një plan. Bizneset duan mbështetje financiare për të mbajtur në punë ata punonjës që kanë mbetur pa u larguar. Deri tani, nuk ka asnjë plan dhe asnjë bisedë në tavolinë”, deklaroi Gërxhani.
Arben Shkodra, sekretar i përgjithshëm i Shoqatës së Prodhuesve, theksoi se “ndikimi që dha mosmbështetja e sektorit të prodhimit, ka sjellë rënie të entuziazmit për të investuar”.
“Ne jemi lodhur duke bërë kërkesa, pasi kërkesat e marsit e prillit nuk u morën parasysh. Kemi probleme në likuiditet. Duhet të ketë një tryezë të gjerë dialogu për planin e rimëkëmbjes. Personeli ynë i aftësuar po shkon drejt shteteve të tjera dhe ky është problemi ynë më i madh”, tha Shkodra. (A2 Televizion)