
Deklarata e parë publike e Prokurorit të Posaçëm, Rober Mueller, lidhur me hetimet për bashkëpunimin e mundshëm të ekipit të Trump më Rusinë në zgjedhjet e 2016-tës, shtynë demokratët të intensifikojnë thirrjet për shkarkim të presidentit.
Mueller tha të mërkurën se hetimi i tij nuk e shfajëson presidentin Trump nga akuza për pengim të drejtësisë.
“Nëse do të besonim se presidenti nuk ka kryer një krim, do ta kishim thënë këtë”, u shpreh Robert Mueller Prokuror i Posaçëm.
Sipas tij, ngritja e akuzave ndaj një presidenti në detyrë, nuk ishte një opsion. Çështja e shkarkim e ka ndarë partinë demokratike, duke, shtyrë një numër ligjvënësish të dalin kundër Nancy Pelosit. Kryetarja e dhomës së përfaqësuesëve dhe zyrtarja më e lartë demokratë deri me tani e ka refuzuar idenë, pasi sipas saj, do të ishte kundërproduktive. Por deklarata e Mueller shtyu 3 kandidatë demokratë për presidencën t’i bashkohen korit të shkarkimit.
Ata janë Cory Booker, Kirsten Gillibrand dhe Pete Buttigieg. Senatori i Nju Xhersit, Booker, tha se është detyrë morale e ligjore e Kongresit të nisë menjëherë procedurat për shkarkim. “Ka ardhur koha”, ishte komenti i kandidates tjetër Gillibrand. Në një mendje edhe senatorja Kamala Harris.
“Mendoj se është e qartë se Robert Mueller i sugjeroi “impeachment” Kongresit amerikan”, tha Kamala Harris. Bernie Sanders nuk u shpreh në favor të “impeachment”, por tha se nëse komisioni i dhomës për drejtësinë do ta konsideronte të nevojshëm do ta mbështeste vendimin. Ndërkaq, vetë Trump tha në rrjetin social Twitter se provat kundër tij ishin të pamjaftueshme dhe rrjedhimisht kjo e bënte të pafajshëm. (A2 Televizion)