
Delegatët e pranishëm në kuvendin kombëtar të Partisë Demokratike, votuan këtë të shtunë për të shkarkuar kryetarin Lulzim Basha. Kanë votuar 4491 delegatë, prej të cilëve pro shkarkimit 4446. Kundër 36 dhe 9 delegatë e kanë nxjerrë të pavlefshme. Megjithatë, fjala e fundit i mbetet referendumit të thërritur për datën 18 dhjetor, ku çdo anëtarë i partisë në të gjithë vendin do të votojë për të ratifikuar votimin e të shtunës.
Pas leximit të rezultatit të votimit, Sali Berisha u shfaq i entuziazmuar. Përpara kamerave, ish-drejtuesi i PD u shpreh se në këtë Kuvend u rivendos pluralizmi politik në Shqipëri dhe rithemelimi i Partisë Demokratike. Berisha, gjithashtu i bëri thirrje Kryeministrit Edi Rama të heqë dorë nga përpjekjet për t’i garantuar mbijetesën Lulzim Bashës, të cilin e cilësoi një kufomë politike.
“Kjo ishte dita më e veçantë më e jashtëzakonshme në historinë e lirisë së shqiptarë. Ky Kuvend ishte vepër e anëtarëve të lirë të PD, i pari i këtij lloji në historinë e pluralizmit. Triumfi i lirisë që gufon nga idealet në zemrat e anëtarëve, është triumfi më madhështor nga të tjerët. Sot në 8 orë mbi 4934 delegatë firmosën, vendosën në këtë monument madhështor të rivendosjes së pluralizmit, të rithemelimit të PD si një forcë vigane opozita. Në këtë moment historik të revolucionit paqësor, i cili është në misione të mëdha për përmbysjen e narkoshtetit, të së drejtës së shqiptarëve për votën e lirë, pa patronazhistë, opozitë kukull. Mirënjohje për ata që mbushën Foltoret dhe erdhën këtu sot si arkitektë të të ardhmes së PD dhe për gjithë shqiptarët".
Çfarë ndodh tani?
Më herët, Çlirim Gjata shpjegoi në A2 CNN për mënyrën se si do të procedohet për shkarkimin e kreut aktual të partisë, Lulzim Basha.
“Ka filluar votimi i fshehtë me pyetjen: A jeni dakord për shkarkimin nga posti i kryetarit të PD të zotit Lulzim Basha. Për herë të parë po kryhet një votim i fshehtë. Statuti nuk e ka me votim të fshehtë, por u bë kështu për ta bërë sa më demokratike. Ka një kontroll elektronik të delegatëve, ku asnjë nuk mund të falsifikohet, çdo shkelje mund të lërë gjurmë. Presim rezultatet e votimit të fshehtë.
Pasi të shohim rezultatin, do të ketë një ratifikim të tij me referendum ky vendim, për t’iu përgjigjur anëtarësisë, pasi ne nuk duam të anashkalojmë asnjë anëtar të PD, pasi PD është e anëtarëve dhe pastaj vijnë institucionet. Prandaj, vendimi do të ratifikohet me referendum.
Por, a do të shkohet në një betejë gjyqësore? “5 mijë shqiptarë, anëtarë të PD, delegatë të kuvendit, duke sfiduar që nga presioni, problemet e mëdha, kushtet e motit, faktorët ekonomikë, kanë ardhur sot. Kjo nuk ka ndodhur në asnjë kuvend. Të tjerat janë dokrra. Në demokraci nuk vendos vetëm ai që ka shumicën, por shikojeni se çfarë shumice ishte sot”, u shpreh Gjata. (A2 Televizion)