
Në seancën e jashtëzakonshme të së enjtes, ku pritet të miratohen ndryshimet në kodin penal, ku do të futen edhe dënimet për thyerjen e masave në kohë pandemie, Rama u shpreh se kjo do të ndihmojë që vendi të dalë sa më i sigurt nga kjo situatë
Sa i përket dënimit të propozuar, i cili shkon deri në 15 vjet burg, kryeministri theksoi se në Itali ekziston edhe dënimi me burgim të përjetshëm, për shkelësit e rregullave në kohë pandemie.
“Pse cilësoni populli dhe dënimi? Gjobat dhe dënimet nuk vijnë për popullin. Populli shkon në burg? Kush shkel ligjin është individ dhe nuk është popull. Pikërisht për interesin e popullit, individi ndëshkohet. Në demokraci, ndëshkimi i individit vjen si rezultat i kërcënimit që ai përfaqëson për popullin. Meqë, nuk doni ta pranoni, nuk doni ta kuptoni, që në kodin tonë penal nuk ka asgjë për pandeminë. Është i vetmi kod penal që nuk ka asgjë, ka vetëm për kafshët. Danimarka nuk është diktaturë, 3 vjet, 6 vjet, 8 vjet për atë që përfiton nga shkelja e rregullave, dikush që merr në qafë dhe të tjerët që do të bëjë biznes. Deri në 10 vjet burg e ka Sllovakia. Po Italia që ka deri në burgim të përjetshëm. Hiqi dënimin me vdekje dhe e ktheu në dënim të përjetshëm.
Këto masa nuk janë për gjithmonë, por vetëm për kohëzgjatjen e gjendjes së fatkeqësisë nga epidemia. Këto masa duhen pikërisht sepse ne do të hapemi. Po të shikoni numrin e shkeljeve ka ardhur në rritje.
Edi Rama nuk ka fantazinë e diktaturës, e kundërta është e vërtetë. Austria ka të njëjtin plan si ne. Kancelari tha se do të hapemi, por jemi gati me dorën te frenat e emergjencës. Askush nuk e di. Ky virus nuk ikën si gjermani i fundit, por një armik i padukshëm që do të jetë vërdallë”, tha Rama
Ai u bëri thirrje deputetëve në fund: “Votoni kodin dhe mos u bëni 'agjent' të covid-it”. (A2 Televizion)