
Presidenti i Turqisë, Taip Erdogan reagoi së fundmi për dënimin me burg të liderit të opozitës Ekrem Imamoglu, i cili mban njëkohësisht dhe drejtimin e bashkisë së Stambollit, i cili u shpall fajtor për fyerje ndaj zyrtarëve të lartë.
Erdogan deklaroi se nëse ka pasur gabime në procesin ndaj Imamoglu, atëherë gjykata do t’i korrigjojë ato kur procedurat të vijojnë në Apel. Mëgjithatë, sipas liderit turk, asnjë qytetar nuk ka të drejtë të shpërfillë ligjet e vendit, kushdo qoftë ai.
Ekrem Imamoglu u dënua me dy vjet e shtatë muaj burg si dhe iu ndalua aktiviteti politik në lidhje me deklaratat e bëra prej tij në vitin 2019, kur ai kritikoi një vendim për anulimin e raundit të parë të zgjedhjeve lokale që ai kishte fituar kundër qeverisë aktuale.
Në lidhje me përjashtimin e Imamoglu nga postet zyrtare, Erdogan u shpreh se nuk i intereson se kush do të jetë kandidati i opozitës në zgjedhjet që pritet të mbahen vitin e ardhshëm.
Mijëra persona protestuan të premten dhe të shtunën para bashkisë së Stambollit për të kundërshtuar vendimin që mund të çojë në largimin e kryetarit të bashkisë nga detyra dhe ndalimin e kandidimit të tij në zgjedhje.
Partitë opozitare pretendojnë se gjyqi ndaj tij ishte një përpjekje për të eliminuar një rival politik të Presidentit Erdogan, i cili planifikon të rikandidojë vitin e ardhshëm. (A2 Televizion)