Dënohet “killeri i Brajtonit”, makthi i çdo pronari macesh

Nga A2 CNN
30 Korrik 2021, 23:27 | Bota

Ishte kthyer në makthin e çdo personi që kishte një mace në shtëpinë tij, por urrejtja e tij ndaj këtyre kafshëve shtëpiake nuk do të mbetet pa u ndëshkuar.

Gjykata e qytetit të Brajtonit, rreth 50 kilometra nga Londra, ka vendosur një masë arresti 5 vjeçare për një 54-vjeçar i akuzuar për të paktën 16 sulme me thikë ndaj maceve të ndryshme, ku 9 prej tyre ngordhën pas një agonie të tmerrshme, në harkun e një viti, nga 2018 deri në 2019, ku u arrestua falë filmimeve të një kamere sigurie.

Steve Bouquet u arrestua falë filmimeve të një kamere sigurie

Bëhet fjalë për Steve Bouquet, një punonjës sigurie që nuk kishte precedentë që mund të bënin të dyshoje. Në apartamentin e tij forcat e policisë  gjetën edhe fotografi të maceve të ngordhura, si dhe një thikë ku u gjet ADN-ja e kafshëve të gjora.

Dënimi është një nga më të rreptët e viteve të fundit për krime ndaj kafshëve, por gjykatësi theksoi mizorinë e të dënuarit “ i cili jo vetëm shkaktoi vuajtje të paimagjinueshme për kafshët, por edhe një traumë të vërtetë ndaj gjithë pronarëve të tyre”.

Ende mbetet mister burimi i urrejtjes së “killerit të maceve” ndaj atyre kafshëve aq të dashura nga njerëzit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos