PS miraton pa opozitën ndryshimet që zgjasin mandatin e Gjinushit, PD e quan puç parlamentar

Nga A2 CNN
19 Korrik 2023, 10:24 | Politikë
PS miraton pa opozitën ndryshimet që zgjasin mandatin e Gjinushit, PD

Deputetëve të maxhorancës i mjaftuan vetëm katër minuta për të ndryshuar ligjin për Akademinë e Shkencave. Mbledhja u thirr nga vetë socialistët në një kohë kur kalendari i punimeve të komisionit mund të konsiderohej i ezauruar për këtë sesion parlamentar, por për ta duhej miratuar ligji përpara pushimeve verore.

Në mbledhje munguan deputetët opozitar, por pavarësisht kësaj, akti nuk gjeti konsensus të plotë brenda sallës, pasi tre socialistë abstenuan, ndërsa nëntë të tjerë ngritën kartonët jeshil.

Nisma ligjore e propozuar nga socialistët Petro Koçi dhe Ismet Beqiraj parashikon ndër të tjera edhe krijimin e mundësisë për Skënder Gjinushin që të mbajë edhe një mandat tjetër në krye tëAkademisë, që për opozitën ishte arsyeja e thirrjes së kësaj mbledhjeje jashtë radhe, të cilën e quajtën puç parlamentar.

Flutura Açka, deputete e Partisë Demokratike, u shpreh: “Pikërisht, në ditën e mbarimit të mandatit të Skënder Gjinushit, Petro Koçi dhe Ismet Beqiraj po përgatisin një puç parlamentar, duke stisur një mbledhje për të kaluar në votim projektligjin e tyre famëkeq, që ia zgjat jetën në drejtimin e Akademisë së Shkencave Skënder Gjinushi”.

Denoncimin paraprak të kryetares së Komisionit, Flutura Açka, e mbështeti edhe deputetja demokrate Ina Zhupa, e cila për mikrofonin e A2 CNN, kur tashmë gjithçka ishte fakt i kryer, deklaroi se fati i kësaj mbledhjeje do të shkojë në Gjykatë Kushtetuese:Nuk mund të bësh dot mbledhje klandestine, se mund të futen në grupin e PS dhe të mblidhen. Kishin marrë 4 deputetë zëvendësues, duke nisur nga Luljeta Bozo. Ka një kuptim dhe procedura parlamentare dhe këtu morali është zero. Morali i një puçi institucional. Unë mendoj se ky Parlament ka një njollë turpi, bënë një maskaradë”. 

Lidhur me këto akuza, A2CNN kontaktoi me socialistin Petro Koçi, i cili nuk komentoi. Seanca plenare e të enjtes është e fundit për këtë sesion parlamentar dhe ligji për Akademinë e Shkencave nuk është pjesë e rendit të ditës të sigluar nga Lindita Nikolla. Rregullorja nuk lejon shtimin e kësaj pike, pasi kërkon minimalisht 48 orë kohë mes miratimit në komisione dhe kalimit në seancë plenare.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos