Denoncimi i mjekut, reagimi pas mbrojtjes nga Basha dhe sulmit nga Rama

Nga A2 CNN
12 Mars 2020, 10:40 | Aktualitet
Denoncimi i mjekut, reagimi pas mbrojtjes nga Basha dhe sulmit nga Rama

Edhe në ditë si këto të vështira, ka profile njerëzish që kthehen në personazhe dite, e shpesh për shkak të asaj që zgjedhin të thonë.

Kështu ndodhi edhe dje, kur doktori i urgjencës në QSUT, Ilir Allkja, postoi një video në faqen e tij në “Facebook”, ku denonconte mungesën e veshjeve speciale për të vizituar pacientët që vijnë nga Urgjenca Kombëtare si të dyshuar me koronavirus.

Ai kishte një kërkesë nga qeveria: Kursimin e jetëve të bluzave të bardha, por si kundërpërgjigje, u akuzua për propagande politike dhe dezinformim.

Doktori foli në Ditarin e orës 09:00 në A2 për kushtet në të cilat punon urgjenca dhe pse ai vendosi ta bëjë publike atë videon.

“Unë nuk kam thënë në asnjë rast se nuk ka maska apo nuk ka veshje speciale. Unë vendosa ta bëja publike atë video, për arsye se kam komunikuar disa herë me drejtorin e urgjencës, ku i kam shprehur shqetësimet e mia në lidhje me mënyrën e filtrimit të telefonatave dhe për mënyrën se si na dërgojnë në misionet jetëshpëtuese. Më ka ndodhur që më kanë nisur për një rast neurologjik dhe ka dalë një rast me temperaturë, vështirësi në frymëmarrje. Ka pasur disa raste të tilla dhe ja kam dërguar drejtorit. Në vend që të ndjehesha i mbështetur, ka pasur një shurdhëri komplete. Unë kam dashur të shpreh se instancat duhet të bëjnë kujdes.

Unë jam ndjerë tejet i pezmatuar nga politizimi i skajshëm. Ndaj meje është bërë një status partizan. Në punë, unë jam gjithmonë gati në shërbim të pacientëve. Kanë gjetur në profilin tim një veshje speciale, e cila është për ebolën dhe jo koronavirusin. Unë aty ngre tjetër çështje. Ndoshta ka ndodhur nga pakujdesia.

Shumica e njerëzve janë arkaikë. Unë jam njeri i lirë dhe kam të drejtat e mia të protestoj, kundër një regjimi autoritar. Unë punën time e bëj në mënyrë korrekte, pastaj shteti nuk është i Edi Ramës, por i të gjithëve. Nuk kanë asnjë të drejtë të më linçojnë në këtë mënyrë barbare, duke filluar që nga kryeministri i vendit, i cili vetëm kryeministër nuk është, ministrja, e cila duhet të jetë aleate me mjekët. Unë nuk kisha asnjë mesazh politik në atë video-mesazhin tim, ishte për të përmirësuar gjendjen, për të shpëtuar jetë dhe nuk kishte një arsye për ta politizuar”, u shpreh doktori. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos