Denoncimi në KLP, Këshilli nis “hetim” për veprimet e prokurorit të Beratit

Nga A2 CNN
4 Mars 2020, 15:47 | Aktualitet
Denoncimi në KLP, Këshilli nis “hetim” për veprimet e

Prokurori i Beratit, Aleksandër Mestani do të “hetohet” nga 3 anëtarë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, pas denoncimit të një qytetari që e akuzon atë për korrupsion.

Altin Haxhiu ka vendosur në pozita rolin e prokurorit në një çështje penale, duke pretenduar se ai ka manipuluar provat. Kërkesa i është dorëzuar në nëntor të vitit të shkuar Këshillit të Lartë të Prokurorisë, për t’iu përcjellë më pas për trajtim dhe kompetencë Prokurorit të Përgjithshëm.

Në janar të vitit 2020, Prokurori i Përgjithshëm vendosi arkivimin e kërkesë-ankesës dhe nisjen e verifikimit të këtij rasti nga ana e Këshillit. Me short, KLP-ja zgjodhi 3 anëtarë, të cilët do të marrin në shqyrtim ankimin e bërë ndaj veprimtarisë hetimore të një prokurori.

Ky do të jetë rasti i parë që Këshilli i Lartë i Prokurorisë merr në shqyrtim ankesën ndaj një prokurori. Ndërkohë, prokurori Besnik Cani nuk do të jetë më anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Në mbledhjen e kësaj të mërkure, KLP-ja shpalli vakancën për postin e Canit, duke kërkuar nga Prokuroria e Përgjithshme të hapë garën për zëvendësimin e tij.

Cani u shkarkua pak ditë më parë nga posti i prokurorit për shkak të pasurisë, vendim i Kolegjit të Apelimit, çka solli edhe humbjen e mandatit si anëtar KLP-je. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos