Freedom House publikon raportin për liritë dhe të drejtat, Shqipëria në rënie

Nga A2 CNN
4 Mars 2020, 09:05 | Aktualitet
Freedom House publikon raportin për liritë dhe të drejtat,

Për të katërmbëdhjetin vit radhazi bota po kalon përkeqësim të të drejtave politike dhe lirive civile. Organizata “Freedom House”, në raportin e saj të vitit 2020, thekson se demokracitë e konsoliduara janë në rënie dhe se jemi në një botë pa udhëheqje demokratike.

“Demokracia është në pozitë të vështirë. Këtë vit kemi parë sulme ndaj të drejtave të barabarta dhe të drejtave të grupeve të brishta si nën demokraci, ashtu edhe nën regjime brutale”, thotë Sarah Repucci, zëvendëspresidente për studime dhe analizë në “Freedom House”.

Nga 41 demokracitë e konsoliduara, 25 prej tyre, pësuan rënie vitin e kaluar. Ballkani Perëndimor sjell një tablo të përzier. E ndërsa raporti ende nuk është aktivizuar publikisht, sipas Zërit të Amerikës, Kosova dhe Maqedonia e Veriut patën përmirësime vitin e kaluar. Shqipëria, Mali i Zi dhe Serbia shënuan rënie, Bosnja mbeti në të njëjtin vend.

Shqipëria ka humbur një pikë, duke kaluar në një vlerësim nga 68 në 67 dhe kjo i atribuohet në pjesën më të madhe përplasjeve të fuqishme politike që ndodhën gjatë vitit 2019 në vend. Në përgjithësi, thotë raporti për rajonin, nuk mund të thuhet “as se gjendja po përkeqësohet, por as se po përmirësohet.”

Drejtuesit e organizatës theksojnë protesta në të gjithë botën, por pa arritur të ndalojnë rrëshqitjen e përgjithshme të lirisë globale dhe pa mbështetje dhe solidaritet më të madh nga demokracitë e vendosura, ata kanë më shumë gjasa të nënshtrohen ndaj reprezaljeve autoritare. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos