
Pas disa ditësh “në kërkim”, shfaqet në publik tenistja kineze Peng Shuai, e cila tashmë ka zënë faqet e para të mediave botërore pas akuzave që lëshoi përmes një postimi në rrjetet sociale se ishte abuzuar seksualisht nga ish-zv.kryeministri i vendit Zhang Gaoli..
Ylli i tenisit u shfaq në fotot zyrtare të një turneu të këtij sporti në Pekin pas presionit ndërkombëtar që kërkonte informacione për gjendjen e saj.
Me një postim që tronditi opinionin publik, Shuai rrëfeu dhunën seksuale ndaj saj të Zhang Gaoli, me të cilin sipas saj kishte pasur marrëdhënie edhe në 2011, kur politikani po i afrohej kulmit politik.
Deri në vitin 2018, Zhang Gaoli shihej si një nga figurat më të fuqishme në qeverinë kineze. Nga viti 2012, kur hyri në Byronë Politike, praktikisht çdo projekt i rëndësishëm ekonomik i Kinës brenda por dhe jashtë vendit, kalonte nga duart e tij.
Por në 2017, ai papritur jep dorëheqjen nga Byroja Politike dhe vitin më pas nga posti i zëvendëskryeministrit. Si gjithmonë në Kinë, spekulimet për arsyet nuk zgjasin shumë, dhe mbi të ra mjegulla e zakontë që përfshin ata që i largohen rrethit të liderit “suprem” Xi Jinping. (A2 Televizion)