Deputetët i kthehen punës, mbledhje “online” dhe ndihma për elektoratin

Nga A2 CNN
30 Mars 2020, 16:52 | Politikë
Deputetët i kthehen punës, mbledhje “online” dhe ndihma

Dyert e Kuvendit të Shqipërisë janë të kyçur, por nuk është pengesë që ligjvënësit të mblidhen për të ushtruar funksionin e tyre.

Gjatë ditës së sotme është zhvilluar mbledhja e parë “online” e Komisionit të Shëndetësisë që ka kaluar aktet normative të ndërmarra nga qeveria për të penguar përhapjen e Covid-19. 

Përmes platformës webex, deputët po diskutojnë dhe miratojnë virtualisht aktet e ndërmarra nga qeveria.

Paralelisht me punën si anëtarë të komisioneve, ligjvënësit janë zhvendosur gjithashtu në terren për t’i qenë pranë qytetarëve në zonat e tyre elektorale. 

Deputeten opozitare Rudina Hajdari e gjejmë në zonën e saj elektroale në Laprakë. Prej ditësh, po shpërndan personalisht paketa ushqimore për familjet në nevojë apo të moshuarit që nuk mund të bëjnë vetë pazarin si pasojë e masave të qeverisë.

Edhe socialisti Ervin Bushati po ndihmon me ushqime në zonën e tij elektorale. Por, deputeti këmbëngul se ndihma duhet të vijë sipas protokollit dhe mos kufizohet tek vullneti i individit.

Deputeti Andi Përmeti thotë se familjet në nevojë dhe pensionistët janë kategoria që i është drejtuar më shumë për të vënë në lëvizje institucionet vendore për ndihmë. Ai apelon për më shumë vemendje për moshën e tretë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos