
Partia Demokratike ka sulmuar ashpër masat ekonomike të qeverisë, me anë të ish-deputetit Dorian Teliti. Sipas tij, vendimet e kryeministrit përjashtojnë çdo kontribut për punëtorët dhe bizneset për muajin e marsit, nga momenti që sipas tij vendimi parashikon lëvrimin e fondeve “të pamjaftueshme, dhe që fillojnë nga muaji prill”.
Në këtë mënyrë, sipas Telitit, lihen “në mëshirë të fatit rreth 1 milion shqiptarë, si dhe 35 mijë sipërmarrje për të cilët nuk dihet çdo të bëhet”.
Sipas tij edhe lëvrimi i fondeve në prill rrezikon të shtyhet, sepse do të duhet për bizneset “të paktën 10 ditë pas aplikimit” për të kuptuar nëse mund të përfitojnë.
Dje, edhe lideri demokrat Lulzim Basha kritikoi Ramën në këtë aspekt, duke shtuar se duhet të mbylleshin dhe të kompensoheshin edhe punëtorët e fasonëve, rreth 17 mijë punëtorë që punojnë në vende “që po shndërrohen në vatra të koronavirusit”. (A2 Televizion)