Deputetët kundër zgjedhjeve, kryeministri Johnson pezullon parlamentin për 5 javë

Nga A2 CNN
9 Shtator 2019, 20:11 | Bota

Parlamenti britanik mbyll dyert. Për 5 javë, apo thënë ndryshe deri më 14 tetor, Dhoma e Komunëve do të pezullojë punimet. Zyrtarizimi erdhi nga “Downing Street”, që konfirmoi edhe njëherë qëllimin e kryeministrit, Boris Johnson për të mos kërkuar një shtyrje të re për Brexit.

 Madje duke folur nga Dublini, shefi i qeverisë u shpreh optimist se një marrëveshje e re ende ishte e mundur me Bashkimin Europian.

“Besoj se një ujdi mund të arrihet deri më 18 tetor, kështu që le ta bëjmë atë së bashku”, deklaroi Johnson.


Kryetari i Parlamentit, John Bercow.

Por vendimi i qeverisë Britanike për të pezulluar punimet në Dhomën e Komunëve, shtoi dhe më tepër kaosin. Kundër tij doli kryetari i Parlamentit, John Bercow, i cili njoftoi dorëheqjen nga posti i tij.

 Duke e konsideruar linjën e ekzekutivit si “destruktive”, ai tha se do të tërhiqet nga detyra zyrtare në rast të zgjedhjeve të parakohshme ose me 31 tetor, që është afati zyrtar i largimit të Britanisë së Madhe nga Bashkimi Europian.

https://a2news.com/2019/09/09/takimi-me-kryeministrin-irlandez-johnson-brexit-pa-ujdi-do-te-ishte-nje-deshtim/

Vendimi i tij u përshëndet nga të gjithë ligjvënësit, përveç ministrave të qeverisë Johnson që mbanin kokën e ulur. Në këto zhvillime ka ndërhyrë edhe Mbretëresha Elizabeta, e cila me firmën e saj zyrtarizoi ligjin kundër Brexitit pa ujdi, të promovuar nga kundërshtarët e linjës së Johnson.

Norma, detyron kryeministrin t’i kërkojë BE-së një shtyrje të re për Brexit, nëse nuk arrihet një ujdi për divorcin. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos