
Drejtori i Kadastrës Lushnjë është gjobitur nga KQZ me 1500 lekë pasi ka lejuar shpërndarjen e certifikatave të legalizimit në aktivitete publike. Ky ishte vendimi i parë që ky institucion merr për shkelje të vendimit për kufizimin e aktiviteteve qeveritare.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur gjobën e parë ndaj një titullari institucioni që ka shkelur vendimin për kufizimin e aktiviteteve qeveritare. I dënuari i parë është drejtori i Kadastrës së Lushnjës, Arben Qalliu, ndaj të cilit Ilirjan Celibashi vendosi se kishte shkelur vendimin që ndalonte shpërndarjen e certifikatave të legalizimit në aktivitete publike. Shuma e gjobës që shefi i kadastrës do të duhet të paguajë është 1500 lekë.
Arben Qalliu nuk preferoi që këtë vendim ta dëgjonte në sallën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Mesa duket, shuma me të cilën u gjobit është më e vogël sesa paratë që do të shpenzonte për të ardhur nga Lushnja në Tiranë.
Në seancën dëgjimore, drejtori i Kadastrës Lushnjë u shfajësua ndaj fotografisë ku deputeti socialist Bujar Çela shpërndante certifikata legalizimi për banorët e njësisë administrative Ysgjokaj në Lushnjë. Sipas tij, për shkak të masave anti-covid, sportelet e institucionit janë të mbyllura dhe certifikatat e legalizimit i shpërndanë nëpërmjet grupeve të topografëve në terren, duke ngritur hipotezën se deputeti socialist ka shfrytëzuar këtë moment për të bërë fotografinë me leje legalizimi në duar. (A2 Televizion)