
Nga Kamza kryeministri Edi Rama ka folur sërish në lidhje me ofertën e bashkëpunimit me kreun demokrat, Lulzim Basha, dhe refuzimin e këtij të fundit. Ai ka akuzuar Bashën se nuk është udhëheqës, por udhëndjekës i Berishës dhe Metës dhe nuk ka vizion. Rama u shpreh sërish i gatshëm të bashkëpunojë me kreun demokrat dhe të shkojë përtej ndasive politike 30-vjeçare, në të mirë të Shqipërisë dhe shqiptarëve.
““Më thotë ai gazetari; po mirë a je ti gati të bashkëpunosh me Lulzim Bashën? Po, patjetër, por me një kusht; duhet të ndahet nga Ilir dhe Saliu dhe Lulzim Basha përgjigjet dhe përgjigjja e tij është thjesht dhe vetëm pohim i faktit që ai nuk është lider e udhëheqës. Ai është udhëndjekësi i Saliut dhe Ilirit, se unë për Shqipërinë e shqiptarët jam i gatshëm të shkoj përtej të gjitha ndasive të 30 vjetëve, por që ta bësh këtë duhet të jesh lider e udhëdheqës, të kesh forcën e karakterit dhe vizionin e së ardhmes. Duhet të jetosh së brendshmi me hallet, shpresat e aspiratat e njerëzve, duhet të rrish pa gjumë kur njerëzit janë pa çati, kur njerëzit janë pa gjumë se kanë ankthin si do dalin nga pandemia. Duhet të jesh mishërim i atij karakteri shqiptar që ne adhurojmë në vjershat e këngët e prindërve dhe nëse ne e kthejmë në fuqi transformuese nuk e ndal Shqipërinë asgjë. Ne nuk na ndal armiku i padukshëm, nuk na ndal asgjë. S’ka asnjë sfidë që ne nuk e fitojmë dot përveç suksesit, nëse shqiptarët nuk bëjnë atë që në momente të caktuara fatkeqësisht kanë bërë; të bien pre e premtimeve dhe pastaj të kthehen përsëri mbrapsht. Ne nuk do e lëmë të ndodhë”. (A2 Televizion)