
Derbi shqiptar në Champions League për femra. Goglat në Nion të Zvicrës vendosën që Vllaznia kampione e Shqipërisë dhe Hajvalia kampione e Kosovës të përballen mes tyre, për të përcaktuar cila do të vazhdojë aventurën europiane.
Të dy ekipet shqiptare bëjnë pjesë në grupin 7 të turit të parë të evenimentit më të rëndësishëm të futbollit për femra. Formati parashikon që 4 ekipet e secilit grup të luajnë me formatin e sfidave gjysmëfinale dhe më pas fituesi i grupit vendoset në ndeshjen finale.
Vllaznia dhe Hajvalia do të ndeshen ndërmjet tyre më 6shtator, ndërsa fituesja e përballjes do të luajë më 9 shtator në finale, përballë fitueses së çiftit ndërmjet islandezeve të Valur dhe turkeve të Ankara Fomget.
Lajmi pozitiv për Vllazninë, kampione të shumëfishtë të Shqipërisë, është fakti se ndeshjet do të luhen në Shkodër. Ky ishte verdikti i shortit të hedhur nga UEFA, në mbledhjen me ekipet, për të përcaktuar qytetin ku do të zhvilloheshin përballjet e grupit me sistem grumbullimi.
“Loro Boriçi” do të jetë impianti mikpritës i tre ndeshjeve të Grupit 7. Stadiumi dhe tifozeria shkodrane do të jenë një shtysë më tepër për Vllazninë, që pas pjesëmarrjes historike në grupet e Champions gjatë sezonit të kaluar, tashmë do të provojë ta përsërisë atë arritje. (A2 Televizion)