
Rritja e fortë e dërgesave të emigrantëve vitin e shkuar erdhi si pasojë e shtimit të shqiptarëve që janë larguar jashtë vendit vitet e fundit, si dhe të nevojës së madhe që kishin familjet e tyre për të përballuar jetesën.
Sipas ekspertit, Genti Beqiri, kombinimi i këtyre dy faktorëve ndikoi në shifrën më të lartë të remitancave në 12 vitet të fundit, prej 761 milionë eurosh.
Beqiri gjykon se këtë vit fenomeni i largimeve, veçanërisht për punonjësit e kualifikuar do të rritet, teksa çmimet diktojnë një nevojë më të lartë për të ardhura, veçanërisht nga familjet në zonat më të varfra të vendit, si Shqipëria verilindore.
Pjesa më e madhe e dërgesave në shtëpi përdoren për të përballuar jetesën, ndërsa një pjesë e vogël arrijnë që të kursehen nga familjet apo të investohen. Remitancat zënë 9-10% të peshës së ekonomisë shqiptare çdo vit. (A2 Televizion)