1 miliard e 30 milionë euro ishte vlera e investuar nga sipërmarrësit e huaj në Shqipëri vitin e shkuar. Shifra përbën një rritje me 10% krahasuar me vitin e pandemisë 2020, por mbetet ende nën nivelin e 2019-ës, kur llogariteshin në rreth 1 miliard e 73 milionë euro.
Investimet e huaja direkte po mbështeten më së shumti në tre sektorë: industrinë nxjerëse, pasuritë e paluajtshme dhe aktivitetet financiare. Sektori i hidrokarbureve dhe ai i minierave karakterizohet nga një numër i lartë kompanish të huaja që operojnë dhe investojnë në të, ndërsa rritja e vlerës së lëndëve të para në bursa pritet të përshpejtojë këto investime.

Nga ana tjetër, rritja e vazhdueshme e çmimeve për pasuritë e paluajtshme ka tërhequr vëmendjen e shumë investitorëve, që po fokusohen kryesisht në prona në zonat bregdetare.
Bie në sy ndërkohë, se sektor i informacioni dhe komunikacioni, pas një rritjeje të fortë gjatë pandemisë, rezultoi vitin e shkuar me një vlerë më të ulët investimesh. Ndërsa sektori që mban 1/5 e ekonomisë shqiptare: bujqësia, thithi thuajse zero investime.

Holanda mbeti vendi kryesor i origjinës së investimeve vitin e shkuar, ndjekur nga Italia dhe Turqia. Ndërsa me përfundimin e gazsjellësit TAP, fluksi hyrës nga Zvicra ra ndjeshëm. Në sy bie edhe rritja e investimeve nga Franca, që pas daljes së grupit Societe Generale nga tregu bankar po rritet tanimë falë Voltalia që po ndërton dy parqe fotovoltaike. Me interes këtë vit do të shihen edhe investimet në Portin e ri Turistik të Durrësit nga grupi me origjinë nga Emiratet e Bashkuara Arabe, si dhe nga Hungaria, që krahas sistemit bankar është zhvendosur edhe në telekomunikacion. (A2 Televizion)