Fiksonin çmimet e inputeve bujqësore, Konkurrenca gjobit me 1.5 mln euro tri kompani

Nga A2 CNN
25 Mars 2022, 16:00 | Ekonomi
Fiksonin çmimet e inputeve bujqësore, Konkurrenca gjobit me 1.5 mln

Autoriteti i Konkurrencës ka gjobitur me 1.5 milionë euro tre kompani që operojnë në tregun e importit dhe shitjes me shumicë të plehrave kimike. Vendimi vjen në përfundim të një hetimi të thelluar në këtë treg, ku u konstatuan sjellje abuzive në dëm të konsumatorëve.

Konkretisht ndërmarrjet Agro Blend SHPK, MBM SHPK dhe CACA SHPK kanë rritur njëkohësisht çmimet e uresë, nitratit dhe DAP-it, duke fiksuar çmimin në treg, si pasojë e pozitës së tyre dominuese.

Ndërmarrjet kishin argumentuar para Autoritetit të Konkurrencës së struktura e çmimit për plehrat kimike përcaktohet nga bursa, por autoriteti gjykoi se kompanitë kishin mjaftueshëm rezerva për të mos rritur menjëherë çmimet. Gjithashtu, hetimi zbuloi se kompanitë ndanin tregjet me njëra tjetrën, duke rritur peshën që secila kishte për produkte të caktuara.

Rrjedhimisht, Konkurrenca vendosi të gjobisë AGRO BLEND SHPK me 118.9 milionë lekë, MBM SHPK me 66 milionë lekë dhe CACA SHPK me 7 milionë lekë.

Tregu do të vazhdojë të jetë nën monitorim përgjatë një periudhe një vjeçare. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos