Deri në 15 vite burg për shkelësit e karantinës, Hysi: Ndëshkime të ngjashme me 9 vende evropiane

Nga A2 CNN
10 Prill 2020, 10:00 | Aktualitet
Deri në 15 vite burg për shkelësit e karantinës, Hysi:

Burg deri në 10 vjet është dënimi që propozon mazhoranca socialiste për të gjithë ata që shkelin urdhrin e karantinës. Në rast të cenimit të jetës së qytetarëve, dënimi shkon deri në 15 vjet burg.

Vasilika Hysi, nënkryetare e parlamentit, dhe relatore e këtyre ndryshimeve, foli në A2. Hysi u shpreh se ditën e sotme do të diskutohet për mënyrën se si do të mblidhet seanca e së enjtes në Kuvend. “Në orën 10 do të mblidhet konferenca e kryetareve, e cila do të diskutojë edhe për mënyrën se si do të mblidhet seanca e ditës së enjte, që do të jetë e ngarkuar pasi ka shumë akte të cilat duhet të miratohen. Na është dashur të mësojmë në këtë moshë përdorimin e teknologjisë së informacionit. Lidhja për të zhvilluar mbledhjet është shumë e lehtë falë një stafi të mrekullueshëm, por diskutimi i projektligjeve merr shumë kohë. Duhet të qëndrosh gjithë kohës para kompjuterit dhe ky është një konsum i madh i kohës”.

Hysi u shpreh se ndryshimet u janë nisur për konsultim publik të gjitha institucioneve vendase dhe ndërkombëtare. “Në Komisionin e ligjeve po diskutohen dy nisma, njëra ka lidhje me forcimin e luftës ndaj dhunës në familje, e dyta është detyrimi që na buron për të bërë një zbatim të ligjit antimafia. Kolegia Bode ka propozuar që në kuadër të masave për parandalimin e Covid-19 të bëhen edhe dy ndryshime në kodin penal. Ne kemi rregulla për izolimin dhe në aktin normativ është bërë një ndryshim ku është parashikuar edhe kjo formë e re. Janë nisur për konsultim publik të gjitha institucioneve vendase dhe ndërkombëtare. Kjo është një nismë që do të marrë të gjithë kujdesin dhe vëmendjen, por edhe të Komisionit të Ligjeve. Ne presim përgjigjet dhe opinionet e institucioneve dhe njëkohësisht kërkojnë edhe opinionet e mjekëve, brenda ditës së hënë në orën 16:00”.

Më tej, nënkryetarja e kuvendit theksoi se do të ruhet një balancë mes ligjeve administrative dhe kodit penal.

“Ka njerëz që nuk i respektojnë këto rregulla. Në akt normativ ne i kemi ashpërsuar masat e vitit 2016, të cilat nuk e dëmtonin xhepin e shkelësit të karantinës. Ne kemi detyrime të përcaktuara qartësisht në ligjin e 2016-ës, këtu veprat penale përcaktohen shumë mirë dhe në cilat raste do të zbatohet kodi penal. Të jeni të bindur se do të jemi të kujdesshëm për të ruajtur një balancë mes ligjeve administrative dhe kodit penal. Kjo nuk do të jetë vetëm për Covid-19. Ne do t’i referojmë komisionit të ligjeve edhe modelin e 9 vendeve evropiane, të cilat kanë një kod penal shumë të ashpër”, tha Hysi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos