“Testimi nuk është zgjidhja”, Bino tregon në A2 se si kapërcehet koronavirusi

Nga A2 CNN
9 Prill 2020, 19:33 | Aktualitet
“Testimi nuk është zgjidhja”, Bino tregon në A2 se si

Silva Bino, shefja e Departamentit të Sëmundjeve Infektive në Institutin e Shëndetit Publik (ISHP), u shpreh në “Ditari” në A2 se testimi në masë “nuk është zgjidhja”. Sipas saj, koronavirusi do të kalojë me hetimin dhe gjurmimin e rasteve, si dhe zbatimi i masave të distancimit social.

“Testimi nuk është zgjidhja. Sigurisht që ndihmon, por masat janë marrë të gjitha kur një person dyshohet që është prekur ose ka pasur kontakt me dikë që ka rezultuar pozitiv. Zgjidhja është hetimi, gjurmimi dhe zbatimi i masave, që janë ruajtja e distancave dhe karantimi. Nuk ka pasur njeri në Shqipëri që është dashur të testohet dhe nuk është testuar. Testimi duhet të jetë inteligjent që t’i shërbejë kontrollit të sëmundjes”, shpjegoi Bino.

“Për një person gjurmohen rreth 20 persona, por ka pasur raste që janë gjurmuar edhe 50 apo 100 persona. Kjo varet nga vendi ku punon, lidhjet që ka etj.”, shtoi Bino.

Sipas saj, “kurba e epidemisë është zbutur” dhe “pjesa më e madhe e personave që kanë humbur jetën janë mbi 70 vjeç dhe që kanë pasur probleme me zemrën, diabetin apo disa sëmundje bashkëshoqëruese”.

Bino theksoi se njerëzit duhet të mbajnë maska kur bëjnë pazar: “Nga studimet është thënë që virusi mund të qëndrojë edhe në ajër, prandaj rekomandojmë kujdes në ambientet me grumbullime. E mira është që njerëzit të kenë maskë në këto ambiente”.

Shefja e Departamentit të Sëmundjeve Infektive në ISHP nënvizoi se koronavirusi do të vazhdojë të qarkullojë: “Ne do të kthehemi në normalitet sepse po punojmë mirë. Por, infeksioni nga koronavirusi do të qarkullojë dhe duhet të jemi në çdo moment të kujdesshëm. Hetimi epidemiologjik dhe gjurmimi do të vazhdojë gjatë gjithë kohës derisa të kemi një trajtim të efektshëm dhe vaksinën, që nuk do të jenë deri nga fundi i vitit”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos