I ftuar në A2, analisti Lutfi Dervishi komentoi ditën sotme zgjedhore, e cila përtej disa incidenteve, nuk ka shfaqur ende tensionet e të kaluarës.
“Partitë politike kanë luajtur një rol pozitiv ose negativ si gjeneratori të një procesi kimik, deri ditën e sotme, tani kemi të bëjmë me një proces aritmetik”, tha ai.
Partitë sipas tij duhet të frenohen, dhe të sigurojnë integritetin e procesit. “Ne jemi i vetmi vend ku i marrim vesh rezultatet ditë më vonë, për shkak të dyshimit të madh mes palëve, që ka nënkuptuar transportin dhe magazinimin e votave”, thotë ai.
Dervishi shton se “dita e votimeve nuk pritej të kishte ndonjë gjë, se kur dalin në rrugë votuesit janë më shumë se militantët”.
Rezultati është ende i paqartë, “siç gabuan sondazhet në fund mund të gabojnë edhe exit pollët, por vullneti i votuesve është aty”, por padyshim një rezultat do çonte në një tensionim të situatës.
“Nuk ka rëndësi që sesa zgjat procesi, në një rezultat kaq të ngushtë dhe eksploziv, që ka brenda tensionet dhe skenarët për ta dëmtuar procesin, rëndësi ka që nga proces aritmetik të mos rikthehet në proces kimik”, thotë ai, që shton se deklarimi i fitores në këtë janë më shumë për numëruesit sesa për votuesit. (A2 Televizion)