
Alexey Kolensykov, një banor i Kharkivit në Ukrainë, solli dëshminë e tij në Ditarin e mbrëmjes në A2 CNN të asaj që po ndodh në qytetin e tij dhe mbarë vendin.
Alexei tregon se situata është shumë e rëndë dhe se bombardimet janë shtuar. Sipas tij, banorët qëndrojnë për orë të tëra në radhë për të siguruar ushqime për familjarët e tyre, të cilat sa vijnë dhe po pakësohen.
“Situata është shumë e rëndë. Ka bombardime mbi çdo ndërtesë. Ka shumë viktima. Njerëzit janë të trembur, ata qëndrojnë në radhë për ushqime. Për furnizimin me karburant është keq, janë vetëm dy pika. Radhët janë të mëdha për bukë. Në dyqane duhet të qëndrosh gjysmë ditë për të marrë diçka. Si ilaçe po shfrytëzojmë vetëm ato që kemi në shtëpi. Të gjithë njerëzit mund të mbajnë armë dhe kanë krijuar njësitet territoriale. Forcat ruse ndodhen në periferi të qytetit, por një pjesë e tyre marrin makinat e vendasve dhe me ato kalojnë nëpër qytete, kanë kapur disa qendra brenda qytetit. Çdo njeri që ka njohuri ushtarake merr armë”, tha Alexei për A2 CNN. (A2 Televizion)