Në përkujtimin e dëshmorit të atdheut, nënkomisar Saimir Hoxha, Drejtori i Përgjithshëm zgjodhi të përcjellë dhe mesazhe për të gjithë trupën nën uniformë. Në një ditë kur policia vijon të jetë e përfolur në lidhje me grupet kriminale Muhamet Rrumbullaku kërkoi ndershmëri te çdo punonjës policie pasi vetëm kështu tha ai dëshmorët mund të prehen të qetë.
“Sot, i kërkoj secilit punonjës të Policisë së Shtetit, nga roli bazë deri në piramidën drejtuese, që të punojnë më me përkushtim, profesionalizëm dhe ndershmëri, në shërbim të vendit e të qytetarëve, pasi vetëm kështu heronjtë tanë do të prehen të qetë sepse misioni i tyre do të përçohet më tej dhe nuk ka mbetur në mes të rrugës apo i paadresuar, por çdo ditë e më shumë punohet për ta përmbushur atë”, tha Rrumbullaku.

Drejtori i Përgjithshëm rikujtoi dhe momentet e betimit kur mori drejtimin e policisë së shtetit. “Në fjalën time, gjatë betimit, kisha në mendje vetëdijen time, si qytetar në radhë të parë, për sakrificën sublime të qindra Dëshmorëve të Policisë, vepra e të cilëve është busull orientimi dhe kambanë për ta bërë detyrën si duhet, në mënyrë që në radhët tona të mos ketë më dëshmorë, por të ketë triumfe dhe suksese mbi krimin e organizuar dhe krimin në përgjithësi, duke iu garantuar qytetarëve, vizitorëve dhe turistëve, një ambient sa më të sigurt dhe për të qenë garantë të zbatimit me korrektësi dhe ndershmëri të ligjit”.
Saimir Hoxha u qëllua nga 21-vjeçari Aldi Rama gjatë momenteve kur nënkomisari, së bashku me kolegun e tij ndaluan makinën e të riut për verifikim. Efektivi 44-vjeçar, baba i dy fëmijëve, mori një plumb në zemër dhe ndërroi jetë gjatë rrugës për në spitalin e Lezhës. Aldi Rama pas ngjarjes u largua dhe u fsheh në një zonë të pyllëzuar ku për 5 orë arriti që të qëndronte në arrati e më pas qëlloi veten dhe humbi jetën disa ditë më pas në spitalin e traumës. (A2 Televizion)