“Destabilizim i rajonit nga lufta”, Xhaçka me Sarrazin: BE të mbajë vëmendjen te Ballkani Perëndimor

Nga A2 CNN
17 Mars 2022, 19:50 | Politikë
“Destabilizim i rajonit nga lufta”, Xhaçka me Sarrazin: BE

Kriza e shkaktuar nga agresioni rus në Ukrainë mund të sjellë destabilizimin e Ballkanit Perëndimor, kështu u shpreh ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka gjatë konferencës për shtyp me të dërguarin e posaçëm të qeverisë gjermane për rajonin Manuel Sarrazin.

Xhaçka kërkoi nga BE hapa konkrete për t’i paraprirë trazirave që sipas saj mund të vijnë si pasojë e ndikimit rus.

“Ajo për të cilën biem dakord është që sot rajonit i nevojiten veprime konkrete nga ana e BE. Fjalë të mira kemi dëgjuar shumë, por sot është koha për të vepruar e për të shënuar arritje të prekshme. Duke filluar sigurisht nga caktimi i një date për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare. Sepse kriza e shkaktuar nga agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës dhe kërcënimet ndaj të gjitha shteteve që e kanë mbështetur vendosjen e sanksioneve ekonomike ndaj Rusisë, kanë rritur rrezikun e destabilizimit të disa shteteve të rajonit, ashtu siç është përfshirja e Shqipërisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut në listen e shteteve jomiqësore të Presidentit Putin ka nxjerrë qartë në pah objektivat e Rusisë dhe politikën e saj të ndërhyrjes në Ballkanin Perëndimor”, tha ministrja.

Caktimin e datës për konferencën e parë ndërqeveritare e mbështeti edhe i dërguari i posaçëm gjerman i cili integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE e renditi mes prioriteteve të qeverisë së vendit të tij.

“Sikundër ju e thatë, agresioni i Putinit ndaj një shteti sovran në Europë evidenton se arritjet evropiane të dekadave të fundit, jeta në një zonë të hapur lirie dhe mirëqenieje, nuk janë diçka e vetëkuptueshme dhe se ne duhet të angazhohemi rishtaz çdo ditë për mbrojtjen dhe konsolidimin e tyre. Dhe në bindjen time të palëkundur, mbrojtja dhe konsolidimi i BE-së si  një zonë e hapur lirie dhe e të drejtës, është e mundur vetëm me përfshirjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor”, deklaroi zyrtari gjerman.

Axhenda e Sarrazin në Tiranë përfshin takime me kryetaren e komisionit të jashtëm, Mimi Kodheli, kryetarin e grupit parlamentar të PD, Enkelejd Alibeaj si dhe Genc Pollon, si përfaqësues nga Komisioni i Rithemelimit të PD.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos