
Ish-eurodeputeti Elmar Brok, përfaqësues i CDU-së gjermane ndodhet në Tiranë. Kjo vizitë e tij përkon me krizën e fortë që po kalon Partia Demokratike pas përjashtimit të Berishës nga Lulzim Basha dhe presionin ndaj këtij të fundit për t’u dorëhequr nga posti i kryetarit, që pasoi disfatën në zgjedhjet e 6 marsit.
Zyrtarisht, askush nuk pranon se Elmar Brok ka marrë përsipër të negociojë mes dy palëve në PD, por A2 CNN mësoi se politikani gjerman ka mbërritur në Tiranë me kërkesë te Bashës.
Gjatë këtij qëndrimi, Brok ka takuar Sali Berishen dhe Belind Këlliçin nga Rithemlimi si dhe Lulzim Bashën e Jorida Tabakun nga PD zyrtare.
Ndërsa Lulzim Basha kërkon të fitojë ende kohë, nuk jep detaje as Sali Berisha. Para parlamentit ish-nënkryetarja Grida Duma vlerësoi grupin parlamentar si forumin më të fuqishëm për t’i dhënë fund lidershipit Basha në PD, ndërsa mesazhe paralajmëruese i dërguan edhe Ervin Salianji e Arbi Agalliu.
E enjtja ishte afati që grupi parlamentar kishte përcaktuar për largimin e Bashës në formë vullnetare, para se të ndërmerren veprime të tjera kundër tij. (A2 Televizion)