
Autoritetet e Ukrainës po mbledhin provat e nevojshme për të nisur një gjyq kombëtar dhe ndërkombëtar për krime lufte kundër Rusisë.
Prokurorja e përgjithshme, Irina Venediktova, mban peshën e madhe të dokumentimit të thuajse 2000 rasteve të krimeve të luftës të kryera nga ushtria e Moskës, gjatë tentativës për pushtim. Zyra e saj është i vetmi organ në Ukrainë me fuqinë për të hetuar.
Kryeprokurorja ka nisur me mbledhjen e dëshmive dhe po viziton zonat e masakrave, fillimisht në Bucha dhe Borodianka, pranë Kievit. Ajo ka qenë e pranishme në zhvarrosjen e shumë civilëve në varret masive.
Hetimi i krimeve të luftës është i vështirë. Ai përfshin ekipe ekspertësh të ndryshëm, të cilët mund të mbledhin dhe analizojnë prova fizike, verbale dhe burime që mund të kundërshtojnë mbrojtjen e rusëve. E drejta penale ndërkombëtare ndjek penalisht individët, jo shtetet, dhe kështu prokurorët duhet ta lidhin krimin me autorin. (A2 Televizion)