Detyrimet e prapambetura të bashkive dhe rritja e punësimeve, Xhafaj tregon arsyet

Nga A2 CNN
19 Tetor 2021, 21:09 | Politikë
Detyrimet e prapambetura të bashkive dhe rritja e punësimeve, Xhafaj

“Detyrimet e prapambetura të bashkive deri në 2019 kanë ardhur në ulje gjë që tregon se bashkitë janë bërë më të përgjegjshme dhe kanë shtuar shërbimet për qytetarët”. Kështu u shpreh deputeti socialist Etjen Xhafaj në studion e Debati në A2 CNN, sipas të cilit reforma territoriale i ka bërë më funksionale bashkitë.

“Detyrimet e prapambetura të bashkive deri në 2019 kanë ardhur në ulje, që do të thotë se bashkitë e komunat, njësitë lokale financiarisht janë bërë më të përgjegjshme, kanë mbyllur më shumë ngga borxhet e tyre, nuk kanë krijuar gropë financiare për buxhetin qendror dhe duke shtuar shërbimet për qytetarët dhe ky është një nga treguesit që tregon se reforma ka qenë e domosdoshme dhe e efektshme dhe i ka bërë më funksionale bashkitë. Kjo ka të bëjë me diçka tërësisht të ndryshme, jo me efektin fiskal të saj.”

Arsyeja e uljes së detyrimeve të prapambetura, sipas Xhafajt është heqja e taksave të vogla të bashkive dhe rritja e granteve shtetërore vit pas viti. Por edhe krijimi i të ardhurave në mënyrë të pavarur nga bashkitë, thekson ai teksa sjell shembullin e bashkive në vijat bregdetare.  

“Reforma territoriale nuk ka të bëjë me efektin fiskal. Qeveria e mëparshme i kishte hequr burimet fiskale të gjitha bashkive, por këto vitet e fundit po e shohim të vërtetuar në shifra, të ardhurat janë, pasi bashkive iu është hequr pjesa e taksave të vogla dhe grantet shtetërore janë diçka e rëndësishme dhe grantet kanë ardhur duke u rritur nga viti në vit. Por aftësia e bashkive për të krjuar të ardhura në mënyrë të pavarur nga pushteti qëndror dhe kjo ka të bëjë me tarifat e shërbimeve, që nga parkimi, gjelbërimi. Jo vetëm në bashkinë e Durrësit, por në të gjitha bashkitë e vijës bregdetare tarifimi dhe kontratat për plazhet private ka mbledhur shumë të ardhura në këto 2 vitet e fundit me një sistem tërësisht transparent. Ne jemi të qartë që këto reforma janë bërë në kushte emergjence dhe do të kenë nevojë për t’u riparë kohë pas kohe dhe ne jemi tërësisht të gatshëm ta bëjmë këtë me opozitën”.

I pyetur për rritjen e punësimeve që kanë shkuar nga 19 mijë në 34 mijë të punësuar deri në vitin 2020, Xhafaj thotë se kur rriten shërbimet shtohen dhe punonjësit.

“Nuk di nga është burimi i të dhënave të këtij grafiku, por duke shtuar gamën e shërbimeve do të ketë rritje të punësimit, nëse mbledhim më tepër mbeturina duhet të rrisim punonjësit. Numri total duhet parë se varet me çfarë janë rritur shërbimet, janë rritur punësimet. Besoj që ka një mundësi të përbashkët për ta bërë këtë analizë". (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos