
Kryetari i ri i Bashkisë së Devollit, Eduart Duro është i pari që betohet në detyrën e re.
Më herët u konstituua edhe Këshilli Bashkiak i Bashkisë së Devollit të dalë pas zgjedhjeve të 30 Qershorit. Por, ashtu siç ishte paralajmëruar, ish-kryetari, stafi i tij dhe mbështetës të PD-së nuk kanë pranuar të lirojnë ambientet e bashkisë dhe kjo ka qenë arsyeja që mbledhja e këshillit të ri bashkiak u zhvillua në ambientet e nënprefekturës në Devoll.
Pas betimit dhe konstituimit të këshillit të ri, kryetari i zgjedhur Eduart Duro u shpreh se bashkia po mbahet e uzurpuar me urdhër politik, ndërsa deklaroi se ish-kryetari ka afat deri të hënën për të liruar zyrën.
I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i ish-kryetarit të bashkisë, i cili ka deklaruar se institucionin do ta mbrojë me çdo kusht nga persona që janë zgjedhur në mënyrë të paligjshme.
Mbetet për t’u parë nëse kryetari dhe anëtarët e rinj të Këshillit Bashkiak të Devollit do të tentojnë të futen vetë në zyrat e bashkisë apo do të kërkojnë ndihmën e Policisë së Shtetit. (A2 Televizion)