
Dhjetëra punëtorë ditorë nga Shqipëria nuk janë lejuar për ditën e dytë radhazi që të kalojnë në pikën e kalimit kufitar të Qafë Thanës.
Një situatë e tillë ka ndodhur pas një urdhri të Ministrisë së Brendshme të Maqedonisë së Veriut e cila në njoftimin e saj thotë se këta shtetas nuk kanë dokumentat e nevojshme për të kaluar kufirin.
Punëtorët thonë se kanë vite të tëra që punojnë në shtetin fqinj dhe nuk kanë pasur kurrë probleme të tilla. Ata kërkojnë ndërhyrjen e shtetit shqiptar.
Jo më larg se 1 ditë më parë Ministria e Brendshme e Maqedonisë së Veriut njoftoi ndalimin e futjes së këtyre shtetasve por duke mos dhënë afate se deri kur, apo çfarë ata duhet të plotësojnë.
Ndërkohë një situatë e tillë lidhet me një shqiptar nga Librazhdi i cili ka humbur jetën duke punuar disa ditë më parë. Sipas të dhënave rreth 200 puntorë ditorë që kalojnë çdo ditë punojnë në të zezë.
Nga ana tjetër nuk dihet ende zyrtarisht nëse Ministria e Brendshme dhe ajo e Jashtme kanë nisur apo jo një diskutim me palën maqedonase për ti dhënë zgjidhje problemit. Puntorët thanë se në vazhdim do të bëjnë protestë në doganë deri në një zgjidhje pasi çdo gjë e bëjnë për të mbajtur familjet. (A2 Televizion)