
Propozimi franko-gjerman për normalizimin e marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Beogradit, është bërë kryefjalë e dinamikave politike në Kosovë. Prej ditës së enjte, po qarkullon në media një draft-propozim që thuhet të jetë hartuar nga ekspertë gjermanë lidhur me asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Sipas këtij drafti, asociacioni vijon të përkufizohet si entitet ligjor, diçka që rezultoi problematike për Gjykatën Kushtetuese, e cila vlerësoi se disa pika nuk ishin në harmoni me aktin më të lartë juridik. Mediat në Kosovë kanë raportuar po ashtu se propozimi nuk parasheh njohjen e Kosovës nga Serbia, por njohjen e Kosovës nga pesë anëtaret e BE-së që nuk e kanë bërë këtë: Spanja, Rumania, Qipro, Greqia dhe Sllovakia.
Partitë opozitare të cilat thonë se nuk janë të informuara lidhur me propozimin franko-gjerman, i kërkojnë qeverisë të mos pranojë asnjë marrëveshje pa njohjen reciproke në qendër.
“Shihet një dinamikë dhe një përkushtim më i madh për t’u arritur një marrëveshje finale. Qëndrimi ynë është shumë i thjesht në këtë temë. Një marrëveshje finale e cila është ligjërisht e obligueshme dhe e cila e ka njohjen reciproke thelbin e marrëveshjes është qëndrimi i AAK-së. Ne duhet të fokusohemi që të mbrojmë dhe të ecim përpara me vendimet që i kemi marrë deri më tani, çfarëdo vendimi tjetër është kthim prapa”, tha Besnik Tahiri, shef i grupit parlamentar të AAK.
“Ajo çka unë si deputet pres është se marrëveshja finale të jetë njohja reciproke, pasi çdo marrëveshje tjetër do të linte prapë shumë çështje për t’u diskutuar. Nëse kemi një marrëveshje pa e njohur njëri-tjetrin çështjet kryesore do të mbeten pa u zgjidhur”, tha Rashit Qalaj, deputet i PDK.
“Kjo qeveri në çështjen e dialogut ka qenë pa strategji dhe pa transparencë. Ne si Lidhje Demokratike e Kosovës kemi tri parime për dialogun, që është mbrojtja e kushtetutshmërisë, njohja reciproke dhe integriteti territorial. Mirëpo ne deri më sot vetëm përmes mediave jemi njoftuar se kur ka pasur takime dhe kur kanë ardhur emisarët ndërkombëtarët në Kosovë. Kryeministri asnjë ditë nuk ka qenë i gatshëm të vjen në Kuvend për çështjen e dialogut”, tha Rrezarta Krasniqi, deputete e LDK.
Duke komentuar “draftin gjerman” që ka qarkulluar në media për sa i përket statutit të asociacionit, zëdhënësi i qeverisë, Përparim Kryeziu, tha për KosovaPress se çdo asociacion që karakter themeltar ka etninë, bie ndesh me Kushtetutën dhe karakterin e shtetit. “Qëndrimi ynë për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe është i njohur, i qartë dhe i njëjtë. Asociacione që karakter themeltar kanë etninë bien ndesh me Kushtetutën e Republikës sonë dhe vetë karakterin e shtetit tonë. Për më tepër, komunitetet jo-shumicë kanë nevojë për integrim, jo izolim. Sa i përket dokumentit që ka qarkulluar sot në media, ai përveçse draft, është pa autor. Në anën tjetër ne jemi Qeveri e Republikës së Kosovës që kemi kushtetutshmëri dhe ligje të cilat i mbrojmë dhe respektojmë”.
I dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, gjatë qëndrimit në Kosovë tha se vendi i tij mbështet propozimin franko-gjerman për marrëveshjen e normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi, madje tha se arritja e kësaj ujdie është çështje javësh.
Kurti fton opozitën në dialog, vetëm AAK pranon
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka ftuar sot liderët e opozitës në një takim për të diskutuar çështjet e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit. Por PDK dhe LDK e kanë refuzuar ftesën. Të dyja këto parti kanë thënë se Kuvendi i Kosovës është vendi ku Kurti mund të diskutojë me ta lidhur me çështjen. Ndërkaq nga AAK-ja kanë konfirmuar pjesëmarrjen duke deklaruar se uniteti është i domosdoshëm në këtë proces. (A2 Televizion)