Zgjedhjet në Serbi, Mustafi: Me deputetët që do të kemi, zëri i shqiptarëve do të jetë më i fortë

Nga A2 CNN
22 Qershor 2020, 19:53 | Kosova
Zgjedhjet në Serbi, Mustafi: Me deputetët që do të kemi,

Zgjedhjet në Serbi, pavarësisht se u kryen me bojkotin e opozitës atje, kanë hapur një dritë jeshile për partitë shqiptare të Luginës së Preshevës, të cilat për herë të parë dolën të bashkuara, duke pretenduar të sigurojnë të paktën 3 vende në parlamentin serb.

Pavarësisht se si do të shkojë fati i këtyre zgjedhjeve pa opozitën, ajo që na intereson është fati i shqiptarëve të Luginës. Në një lidhje në A2, foli për zgjedhjet Presidenti i Këshillit Kombëtar të shqiptarëve të Luginës Ragmi Mustafi.

Ai u shpreh se me deputetët në parlamentin e Serbisë, zëri i shqiptarëve të Luginës do të jetë më i fortë.

“Ne pretendojmë se janë mbi 100 mijë shqiptarë në Luginë dhe këtë e tregojnë edhe zgjedhjet. Shqiptarët përbëjnë një faktor shumë të rëndësishëm të këtyre hapësirave. Bashkimi i partive shqiptare në Luginë do të bëjë që zëri të jetë më i fortë. Gara ishte shumë e ashpër, por është e rëndësishme që të krijohet një frymë e mirë për përfaqësi në Luginë. Një lajm i mirë është që ka pasur mbështetje nga Tirana zyrtare dhe Prishtina zyrtare”.

Për Ragmi Mustafin nuk mund të ketë zgjidhje mes Serbisë dhe Kosovës pa Preshevën. “Dy vite më parë, Kosovës i është kërkuar që ta trajtojë çështjen e Luginës në dialogun me Serbinë. Unë pres që kjo të bëhet fakt në tavolinën e negociatave. Ne presim që duke i pasur të gjitha instrumentet politike të kemi një fuqi më të madhe. Nuk mund të ketë një normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë pa zgjidhur çështjen e Preshevës”, u shpreh Mustafi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos