
Politologu Shkumbin Beqiri, një ndër të ftuarit e emisionit “Absolut 4”, ku po diskutohet rreth zgjedhjeve në Kosovë deklaron se Albin Kurti nuk duhet të hapë fronte lufte me opozitën.
“Kurti duhet të kërkojë ndihmën e opozitës, PDK-së dhe LDK-së. Duhet ti ofrojë bashkëpunim, që qëndrimi i qeverisë të jetë një përfaqësim sa më i gjerë. Në këtë rrethanë duhet ta provojë një lloj bashkëpunimi, dhe të mos hapë luftë në të gjitha frontet me PDK-në dhe LDK-në.”, u shpreh Beqiri në A2.
Sipas tij për dialogun në Serbi, nga Kurti pritet që të ketë një bashkërendim sa më të mirë me aleatët, veçanërisht më SHBA-në pasi Kosova nuk është mjaftueshëm e fuqishme për të imponuar qëndrimin e saj.
“Çfarë i kërkohet për çështjen e dialogut është të ketë një bashkërendim sa më të mirë me aleatët, veçanërisht me SHBA, në mënyrë që prezantimi i tyre të bëhet sa më i mirë. Në këto rrethana Kosova nuk është mjaftueshëm e fuqishme, për të imponuar qëndrim të saj. Gjithçka që kërkohet në këtë rast është të provojë të bëjë një bashkëpunim sa më të mirë me opozitën dhe ta bashkërendojë mënyrën e dialogut me aleatët.
Besoj që prej vitit të kaluar kur ka rënë qeveria e tij ka pasur mundësi të mësojë disa elemente të rëndësishme në fushën e negociatave dhe besoj një ngrohje sadopak në marrdhënie me amerikanët. Në këtë mënyrë mund ta cojë dialogun në një fazë finale që nuk jemi humbës por jemi në një pozitë e cila nuk e dëmton sovranitetin e Kosovës por as nuk e defunksionalizon nga brenda.”, shtoi ai. (A2 Televizion)