
Gazetari Tomor Avdija ishte një ndër të ftuarit e emisionit “Absolut 4”, ku u diskutua rreth zgjedhjeve në Kosovë dhe të ardhmes së afërt që e pret qeverinë e re të Albin Kurtit.
Sipas gazetarit të njohur nga Kosova, Albin Kurti ka tashmë si detyrë të mbajë premtimet e bëra ndaj qytetarëve për zhvillimin ekonomik dhe luftën kundër korrupsionit.
“Fitorja që ka arritur Vetëvendosje bashkë me Vjosa Osmanin si një nga më të mëdhatë të pasluftës. Albin Kurti ka theksuar që prioritet i programit të tij dhe qeverisë së re janë në faktin që duhet të zbatohet në terren dhe për të marrë atë që qytetarët kanë kërkuar gjatë kësaj periudhe, pra zhvillimin ekonomik, luftën kundër korrupsionit dhe kthimin e ligjit në institucione. Pra janë këto premtime të fuqishme”, tha gazetari.
Avdija komentoi dhe deklaratën e Kurtit për dialogun me Serbinë, i cili tha pas rezultateve paraprake se kjo çështje renditej e 7-ta në prioritetet e qeverisë së re. Sipas tij, dialogu është një çështje e nxehtë dhe Kurti do të përballet shumë shpejt me të, për shkak dhe të ndërkombëtarëve.
“Sfidë e qeverisë Kurti është dhe dialogu, ku siç e ka përmendur vetë ai, dialogu në programin e tij është në pikën e 7-të. Dialogu është imediat pasi BE dhe SHBA e kanë kërkuar këtë gjë. Një kërkesë i ka ardhur Albin Kurtit dhe nga i ngarkuari i BE, Lajçak i cili i kërkoi qeverisë së re të ulet sa më shpejt në tryezën e negociatave. Ky proces i tejzgjatur i ka lodhur qytetarët, të cilët kanë humbur shpresat. Kurti e sheh si një patate të nxehtë në dorën e tij rinisjen e dialogut, por fakti që e ka deklaruar se kjo nuk është imediate në politikën e tij unë shpresoj se shumë shpejt ai do të përballet me dosjet e fuqishme diplomatike që do ta ulin në tryezën e negociatave”, shtoi Avdija. (A2 Televizion)