Përfundon numërimi i votave në Kosovë

Nga A2 CNN
15 Shkurt 2021, 12:06 | Kosova
Përfundon numërimi i votave në Kosovë

Ka përfunduar numërimi i fletëvotimeve nga të gjitha vendvotimet në Kosovë, por ka mbetur që të procesohen edhe rreth 1% e të dhënave në faqen zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhje. Lajmi është konfirmuar për KosovaPress nga zëdhënësi i këtij institucioni, Valmir Elezi.

Ndërkohë në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve(QNK) po vazhdon të pranohet materiali i ndjeshëm zgjedhor që është përdorur gjatë ditës së zgjedhjeve.

“Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve po vazhdojmë të pranojmë materialin e ndjeshëm zgjedhor, i cili gjatë ditës së zgjedhjeve ka qenë i shpërndarë në të gjitha vendvotimet në Republikën e Kosovës. Më lejoni gjithashtu t’iu njoftoj se numërimi i fletëvotimeve nga vendvotimet ka përfunduar të dielën në mbrëmje dhe në web faqen e KQZ-së janë procesuar të dhënat e pothuajse 99% të vendvotimeve, kanë mbetur disa vendvotime. Një numër i vogël rreth 40 prej tyre të dhënat e të cilave do të përditësohen do të ngarkohen në web faqe gjatë ditës së sotme”, tha Elezi.

Ndërkohë në pritje për numërim janë votat me kusht dhe ato me postë. Nga zgjedhjet e djeshme, me numërimet e deritanishme parti fituese ka dalë Lëvizja Vetëvendosje. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos